Ekspozita
Një radhë e gjatë njerëzish përdridhet përgjatë maleve të gjera. Në pikturën panoramike të Brilant Milazimit, turma duket sikur shkrihet me terrenin e pafund. Duke u bërë jehonë skenave historike dhe bashkëkohore të zhvendosjes, kompozimi gjithëpërfshirës paraqet trupa të brishtë që lëngojnë në peizazh. Ata presin me durim, të ngrirë në vend. E shënojnë kohën por qëndrojnë, me dhëmbët e shtrënguar fort.
Pritja në Kosovë nuk është abstrakte. Për dekada, lëvizshmëria është kushtëzuar nga trashëgimia e një lufte brutale, e cila i turbulloi më tej kufijtë ndërkombëtarë dhe solli njohje të vonuara e të përkohshme. Ky pezullim i zgjatur kohor reflekton një pasiguri të jetuar, e formësuar nga tranzicioni politik, njohja e kontestuar dhe një sovranitet që vazhdon të negociohet.
Sot, imazhi i pritjes në radhë ka marrë një dimension global. Njerëz që ikin prej luftës. Që presin në kufi. Që presin për azil. Presin të kuptojnë nëse do t’u lejohet qëndrimi, nëse do t’i kthejnë mbrapsht dhe nëse kthimi është i mundur.
Dhëmbë të Fortë nga Brilant Milazimi mediton mbi pasojat afatgjate të pritjes dhe mënyrën se si ato trupëzohen në sistemin nervor. Kur përjetohet për një kohë të gjatë, kjo shtyrje e vazhdueshme mund të shtrembërojë psikikën dhe të ushqejë pritshmëri të rreme, sidomos kur e ardhmja mbetet e paqartë.
—
Vizito
Chiesa di Santa Maria del Pianto, Venecia
Shiko vendndodhjen në hartë
E martë – e diel, 11:00–19:00